“Diskutime për vendimmarrjen dhe situatën politike”
Në kulmin e përplasjeve mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ky i fundit ka thirrur një mbledhje të kryesisë së kësaj force politike pasditen e së hënës. Në njoftimin që Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazmend Bardhi u ka nisur anëtarëve të Kryesisë thuhet se në rend të ditës janë diskutime dhe vendimmarrje mbi situatën politike duke shtuar “marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”.
Në njoftim nuk jepen më shumë detaje se cilat janë vendimet që do të merren, por pritet që temë diskutimi të jetë Kuvendi Kombëtar i thirrur për më 11 Dhjetor nga ish-Kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. Kjo mbledhje vjen pasi më 10 Nëntor në selinë e Partisë Demokratike u dorëzuan 4200 formularë të firmosur nga delegatët e Kuvendit Kombëtar që kërkuan një mbledhje të këtij organi.
Firmat u dorëzuan në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar Edi Paloka. Kjo ka bërë që kryetari Basha ta quajë blof nismën e Foltores sepse sipas tij thirrja e Kuvendit ka një tjetër parashikim në statutin e Partisë Demokratike. Por ish-kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm për të bërë transparencën e firmave të dorëzuara, por këmbënguli se organi i vetëm që mund të bëjë verifikimin e tyre është vetë Kuvendi Kombëtar.
Tv Klan