Lajme Arkiva 2003
Partia Demokratike paralajmëroi protesta më të ashpra për mbrojtjen sipas saj të votës së lirë. Udhëheqësit e tubimit që nisi në sheshin “Skëndërbej”, kanë qenë kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie Spartak Ngjela dhe kryetari i degës së Tiranës, Vili Minarolli.
Protestuesit nuk kanë harruar të hedhin parulla kundër qeverisë edhe para godinës së kryeministrisë, ku brenda sot ndodheshin vetëm punëtorët që po merren me rikonstruksionin e saj. Tubuesit u grumbulluan para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku zoti Ngjela ka bërë thirrje për shkarkimin e anëtarëve të saj.
Spartak Ngjela: Dje i kam dërguar një letër Presidentit të Republikës në të cilën i kam thënë kushtet, kurse sot ju njoftoj se nga ky shesh i kërkoj Presidentit të Republikës ti drejtohet parlamentit për shkarkimin e gjithë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I kujtoj të gjithë lidershipit qeverisës që do acarohen dhe më tepër revoltat dhe protestat deri sa ju të kuptoni që të respektoni ligjin dhe kushtetutën.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ruajtur nga një numër i madh forcash speciale, pasi në të njëjtën godinë zhvillohej mbledhja e komitetit të përgjithshëm drejtues të Partisë Socialiste./tvklan.al