Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nuk ofron regjistrim në terren për votuesit jashtë Shqipërisë. Përmes një deklarate publike, Celibashi thotë se regjistrimi i votuesve nga jashtë kryhet vetëm nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila mund të aksesohet në www.kqz.gov.al, ose përmes aplikacionit zyrtar të KQZ për telefona smart.


Deklarata e KQZ-së:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka ofruar dhe nuk ofron asnjë lloj ndihme apo mbështetje për regjistrimin në terren. E vetmja ndihmë dhe mbështetje për çdo votues nga jashtë ofrohet ekskluzivisht nga Qendra e Ndihmës pranë KQZ dhe vetëm përmes:

Thirrjeve telefonike

Mesazheve në WhatsApp

Chatbot-it

Email-it zyrtar të KQZ-së

KQZ nuk ka autorizuar asnjë person tjetër që në emër dhe për llogari të institucionit, të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë. Kushdo që konstaton persona që prezantohen si përfaqësues të KQZ në ambiente të tjera, jashtë institucionit, duhet ta denoncojë menjëherë rastin pranë organit të prokurorisë.

Përtej kësaj, KQZ siguron të gjithë votuesit nga jashtë se procesi i regjistrimit është në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të vendeve të Bashkimit Europian, i mbrojtur nga çdo interes, ndikim politik apo partiak.

KQZ nuk ka autorizuar askënd tjetër që në emër dhe për llogari të këtij institutioni të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë, as për brenda vendit dhe më shumë akoma as për jashtë vendit.


/tvklan.al