Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Partia Demokratike për përcaktimin e kandidatëve për deputetë, do të ndjek të njëjtat procedura si në zgjedhjet lokale të 1 Tetorit. Sipas krerëve demokrat, vetë baza do të përcaktojë emrat pretendentë, që do të kalojnë në konferencat e degëve, e më pas në forumet më të larta të PD-së.

Partia Demokratike është tepër hermetike përsa i përket emrave konkret, ndërsa mësohet se kandidatët për deputet, do të jenë aktivistë të njohur të PD. Gjithashtu selia blu është tepër skeptike për të ofruar emra të njohur jashtë strukturave të partisë. Ndërkohë Partia Demokratike është duke gjetur dhe formulën e daljes së përbashkët me partitë aleate të grupimit Bashkimi për Demokraci.

Sipas krerëve demokrat, megjithëse po punohet, asgjë nuk është e sigurt për zgjedhjet parlamentare të Qershorit, pa u ndryshuar KQZ, listat e zgjedhësve dhe harta elektorale./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego