“Kryebashkiakut të Matit t’i hiqet mandati”
Katër muaj pasi i kërkuan Prokurorisë të verifikojë mandatin e kryebashkiakut socialist të Matit, demokratët thonë se vendimi i dhënë nga organi i akuzës faktoi se Agron Malaj është subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Sipas numrit dy të demokratëve, Gazment Bardhi, kryebashkiaku i Matit është i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk duhet të mbajë më mandatin.
“Ligji i dekriminalizimit e thotë qartë se një person nuk mund të ushtrojë funksione publike me një dënim të tillë, edhe kur vepra penale deklarohet nga i dënuari, siç është rasti i kryebashkiakut të paligjshëm të Edi Ramës në Mat. Ai jo vetëm duhet të largohet menjëherë, por me ligjin e dekriminalizimit ndalohet përjetë për të kandiduar”.
Në vendimin e dhënë nga prokurori Sokol Stojani rezulton që kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj të jetë dënuar me 10 muaj burg për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake nga Gjykata e Rrethit Mat në 7 Tetor të vitit 1999. Për këtë arsye, demokratët i kërkojnë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që t’i heqë mandatin e kryebashkiakut.
Tv Klan