Sali Berisha ka rikonfirmuar pozicionin e demokratëve lidhur me votën në Parlament për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Duke e konsideruar si prioritet amendamentin e propozuar prej ekspertëve demokratë që të lejohen të votojnë në 11 Maj dhe emigrantët që nuk kanë asnjë dokument shqiptar të identifikimit, por vetëm ato të shteteve ku jetojnë, ai deklaron se nuk do të pranojnë të votojnë propozimet e KQZ të mbështetura nga socialistët.

“Nuk mund të ketë forcë politike që të pranojë të ndëshkojë 2/3 e shqiptarëve se nuk kanë letërnjoftimet shqiptare apo pasaportat”, tha Berisha.

Berisha lajmëron eksportimin e mosbindjes civile të nisur në rrugën e kryeqytetit në çdo ambasadë dhe konsullatë shqiptare në botë.

“Do të nisë një lëvizje e re e fuqishme e mosbindjes civile, kjo që është në Shqipëri, do vazhdojë në botë”, u shpreh kryedemokrati.

Debateve dhe pakënaqësive të brendshme për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë përmes primareve, ju jep përgjigje duke lexuar statutin e partisë.

“Ka një nen në statutin e Partisë Demokratike, i cili thotë: Në rast se kryetari i partisë do të kandidojë, ai duhet të japë dorëheqjen”, tha kreu i demokratëve.

Berisha u pyet dhe për deklaratat e bera nga Kryeministri gjatë vizitës në Spitalin Onkologjik lidhur me skandalin e mjekëve të këtij shërbimi që i orientonin pacientët në spitalet e tyre private.

“Deklarata e pilatit që do të lajë duart pasi ka kryer krimin. Krimi në Onkologjik është krim shtetëror”, deklaroi Berisha.

Ripërsëriti se do të bëjë përpjekjet e tij me administratën Trump për heqjen e “non gratës”, ndërsa mohon që të ketë paguar para për të lobuar me administratën Biden për këtë çështje.

Tv Klan