“Qytetarët po vuajnë në qiell të hapur”
Teksa qeveria vijon inspektimin e shkollave që po rindërtohen pas shembjes nga tërmeti i 26 Nëntorit, opozita dhe banorë të zonës së Ishmit në Durrës e akuzojnë atë për propagandë, pasi ndryshe nga premtimi i kryeministrit puna në to nuk ka nisur ende, duke lënë pa mësim fëmijët e fshatrave përreth.
“Qeveria pretendon që ka bërë këto klasat online, mësime në televizor, ndërkohë që ka shumë familje që jetojnë në çadra dhe nuk kanë as televizor, nuk kanë as mundësi interneti”, u shpreh Albana Vokshi.
Të njëjtat akuza demokratët i vijuan edhe nga Fushë Milot, ku shumë prej banorëve iu ankuan për braktisje nga ana e shtetit.
“Unë me 5 milionë Lekë që e kanë vlerësuar këtë banesë, nuk i bëj dot vetëm çatinë. Kam 8 muaj në çadër”, tregoi një banor.
Pak ditë më parë opozita akuzoi nga Thumana edhe kryebashkiakun e Krujës se ka abuzuar me fondet publike, duke shpenzuar 100 milionë Lekë për rikonstruktimin e shkollës që u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit, inagurimi i së cilës u bë vetëm dy ditë përpara lëkundjeve tragjike.
Tv Klan