“Kandidatja Aida Hajna, nën hetim penal për korrupsion”
Demokratët akuzojnë qeverinë se në paligjshmëri të plotë po kontrollon politikisht Byronë Kombëtare të Hetimit, duke lënë si kandidate të vetme në garë, zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajna.
“Byroja Kombëtare e Hetimit, që pretendohet se do të hetojë krimin e organizuar dhe njerëzit e pushtetit, është institucioni i fundit që po merret nën kontroll nga qeveria. Ajo ka diktuar skualifikimin e të gjithë kandidatëve, duke lënë si emër të vetëm në listë zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajna”.
Sipas nënkryetyarit të Partisë Demokratike Hajna duhet të skualifikohet, pasi ajo është nën hetim penal për korrupsion.
“Në lidhje me këtë subjekt, nga ana e SHÇBA, në vitin 2018 janë marrë informacione të besueshme dhe konkrete, ku kjo shtetase implikohet në marrjen e shumave nga 10 mijë Euro për dhënien e gradave policore në mënyrë arbitrare dhe preferenciale. Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.9668, viti 2018, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ku Aida Hajnaj dhe disa oficerë të Drejtorisë Përgjithshme dhe Akademisë së Policisë janë nën hetim”.
Selia blu thotë se për kreun e BKH-së duhet rihapur gara për të mos lejuar zhvlerësimin e plotë të Reformës në Drejtësi dhe kontrollin e këtij organi nga qeveria.
Tv Klan