Një ditë pasi Bashkia e Tiranës tha se nuk do të nisë tani projekti për zgjerimin e Lumit të Lanës, demokratët e akuzuan kyebashkiakun Veliaj se po mashtron qytetarët.

Sipas opozitës, harta zyrtare e Planit Urbanistik të Tiranës tregon gjurmën ekzakte sesi është devijuar Lana në favor të projektit 60 milionë Euro të trafikantit të drogës.

“Ndryshe nga sa mashtron Bashkia e Tiranës, harta zyrtare e Planit Urbanistik të Tiranës tregon gjurmën ekzakte sesi është devijuar Lana në favor të projektit 60 milionë Euro të trafikantit të drogës. Kjo gjurmë tregon sesi për të mos cënuar projektin e trafikantit të drogës, u planifikua zhvendosja e Lanës mbi territorin ku ndodhen shtëpitë e 200 familjeve. Në vend që të mashtrojë qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj duhet t’i përgjigjet pyetjes për të cilën hesht që nga zbulimi i skandalit: Pse ai firmosi Planin për zhvendosjen e Lumit të Lanës?

Roli prej budallai dhe loja me paditë politike me shpresën për të larguar vëmendjen nga skandali, nuk e shpëtojnë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës nga pyetja që tani e bëjnë shumë njerëz në Tiranë: Sa është pjesa e Erion Veliajt në projektin rezidencial 60 milionë euro që e detyroi atë të ndryshojë planin urban të Tiranës dhe të zhvendosë Lanën në favor të projektit të trafikantit të dënuar të drogës Edmond Bego

“, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa.

/tvklan.al