Partia Demokratike ka vijuar me akuzat e saj ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Sipas selisë blu, ministrja ka shkuar në një mbledhje partie me helikopter.
Albana Vokshi tha këtë të martë se gjatë 2 muajve të fundit helikopteri ushtarak ka udhëtuar 22 herë nga Farka drejt Peshkopisë dhe anasjelltas për të dërguar dhe për të marrë ministren. Ish-deputetja tha se kjo është shkelje e përsëritur dhe i ka kushtuar shtetit 100 milionë lekë.
“Vetëm në dy muajt e fundit, për të dërguar dhe për të marrë Olta Xhaçkën nga Dibra, helikopteri ushtarak ka udhëtuar 22 herë nga Farka në Peshkopi dhe anasjellas. Ka patur raste që zonja ministre ka përtuar të shkojë deri në Farkë dhe helikopteri e ka marrë apo e ka lënë poshtë zyrës së saj në Ministrinë e Mbrojtjes. Olta Xhaçka hesht, edhe pse është kapur në flagrancë në një shkelje, të përsëritur, të kryer në vijimësi, me vetëdije të plotë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 100 milionë lekë”.
Albana Vokshi tha se kryeministri Edi Rama duhet të shkarkojë ministren Xhaçka.
“Edhe Edi Rama hesht, megjithëse abuzimi me detyrën nga vartësja e tij, është flagrant. Më e pakta, që mund të bënte një kryeministër normal, do të ishte shkarkimi i Ministres së Mbrojtjes për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike për interes privat partiak”.
Sipas PD-së, helikopteri ka udhëtuar 22 herë për 2 muaj dhe çdo vajtje në Dibër e Xhaçkës kushton 5-10 mijë euro./tvklan.al