Partia Demokratike ka vijuar denoncimet përpara zyrave të SPAK-ut për inceneratorin e Tiranës. Ish-deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi se fondet e BE-se që duhet të merrnin fermerët i ka marrë drejtori i inceneratorit të Tiranës.
Belind Këlliçi, ish-deputet: Ky individ ka marrë 500 mijë euro hua nga ITS-ja e Klodian Zotos, për të blerë një truall. Kjo është një nga dy kontratat e blerjes së tokës në landfillin e Sharrës dhe për të bërë çfarë, për të aplikuar më pas përmes Stela Gugalles në AZHBR dhe për të përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD, pra paratë që duhet të merrnin sot ata që punojnë në bujqësi, fermerët tanë, i ka marrë drejtori i inceneratorit të Tiranës bashkë me Stela Gugallen.
Me këto fonde, sipas demokratëve është ngritur një serë, e cila nuk është sekuestruar çuditërisht ende nga SPAK. Këlliçi ka ftuar sërish të enjten qytetarët që të jenë pjesë e protestës së 18-të përpara Bashkisë së Tiranës.
Klan News