Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Partia Demokrate e Re ka vendosur të hyjë në qeveri. Vendimi është marrë në mbledhjen e orëve të vona të mbrëmjes, nga kryesia e kësaj partie. Burime brenda mbledhjes thanë, se hyrja në qeveri ka si opsion kryesor që ky akt të konsiderohet si një akt politik dhe jo dëshirë individësh.
Kryetari i PDR Genc Pollo, ka marrë mbështetjen e shumicës së kryesisë, por pas një debati të gjatë, që hyrja në qeveri të përshpejtojë edhe zgjedhjet e parakohshme në vend. PDR ka vendosur që pavarësisht një hapi të tillë për pjesëmarrjen në qeveri, të qëndrojë larg çdo pozicionimi lidhur me konfliktin brenda PS.
Pas mbledhjes, një nga kundërshtarët e idesë, për pjesëmarrje në qeveri, ish-kandidati për kryetar bashkie i PDR Kreshnik Çollaku tha:
Kreshnik Çollaku:- “Bindja ime, apo qëndrimi im ishte paksa, mbase më i radikalizuar se të tjerët. Mendimi im është se e vetmja zgjidhje që ka kriza në Shqipëri është dorëheqja e kryeministrit Nano”.
Gazetarja: Ndonjë kontakt së afërmi nga ana e partisë suaj me zotin Nano?
Kreshnik Çollaku:- “Unë nuk kam informacion për këtë, kryetari konfirmoi paraprakisht që ka një kërkesë të zotit Nano për të parashtruar ofertat e ndryshme”.
Kryetari i PDR Genc Pollo, pritet të dalë me një deklaratë zyrtare për vendimin që mori së fundi partia që ai drejton./tvklan.al