Partia Socialiste i ka bërë ftesë jopublike reformatorëve për aleancë parazgjedhore. Kryetari i grupit paralmentare të Partisë Demokrate të Re Nard Ndoka konfirmon se ftesa e socialistëve do të shqyrtohet nga krysia e partisë. Afër një aleance Partia Demorkate e Re gjendet edhe me Partinë Demokratike, por nuk dihet se cila prej tyre do të merret në konsideratë nga partia e drejtuar nga Pollo.

Një ditë më parë nënkryetari i reformatorëve Ferdinand Xhaferri u shpreh se duhet të shkrihen mosmarrëveshjet e kaluara në mënyrë që opozita të jetë unike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por në këto momente ku situata politike është e nxehtë reformatorët po luajnë me disa porta për të gjetur rrugën ku duket se interesat elektorale janë më të mëdha.

Nard Ndoka: “Partia Demokrate e Re është një parti e hapur për bisedime me gjithë faktorin politik shqiptar. Kjo nuk e pengon PDR-në që të ulet në tryezë me gjitha këto formacione politike dhe të dëgjojë me vëmendje propozimet e tyre. Në të njëjtën kohë PDR-ja nuk ka marrë akoma asnjë vendim politik në lidhje me këto bisedime, ose oferta mund t’i quaj, nga faktorë të ndryshëm.”

Gazetarja: “Pra mund të themi që kohët e fundit ka pasur dhe një ftesë nga socialistët?”

Nard Ndoka: “Kuptohet që Partia Socialiste është në një krizë të saj të brendshme dhe ka lëvizje në spektrin e majtë, në spektrin e djathtë, në qendër, dhe kjo besoj që e bën politikën e shqiptarëve më të larmishme dhe ka një diapazon të gjerë aleancash, bashkëpunimesh.”

Kryesia e Partisë Demokrate të Re, që do të mblidhet javës tjetër, do të vendosë pozicionin e lëkundur të kësaj partie nëse do të qëndrojë e pozicionuar në kampin e djathtë apo të majtë. /tvklan.al