Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komiteti Drejtues i Partisë Demokracia Sociale ka marrë vendimin për daljen nga koalicioni i qeverisjes për integrim. Qëndrimi i mëtejshëm në këtë koalicion në rrethanat e krijuara do të dëmtonte imazhin e partisë, deklaroi Paskal Milo.

Paskal Milo: “Komiteti Drejtues Kombëtar mori vendimin, që t’i sugjerojë bordit ekzekutiv kombëtar, që në momentin e duhur kur do gjykohet e arsyeshme gjatë javëve të ardhshme të ekzekutojë në praktikë daljen nga koalicioni”.

Tryeza e koalicionit për integrim nuk ka funksionuar ndryshe nga synimet e fillimit, ajo degjeneroi në një instrument demagogjik dhe fasadë, pa luajtur asnjë rol përball sfidave politike.

Paskal Milo: “U konstatua se tryeza e koalicionit nuk ka funksionuar fare dhe për probleme të tilla të mëdha si çështja e pronave, të persekutuarve politikë, të kodit zgjedhor, të integrimit euroatlantik të Shqipërisë”.

Milo deklaroi se segmente të veçanta të politikës duke iu referuar Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike po prodhojnë kompromise të dëmshme në funksion të interesave të ngushta partiake. Gjithsesi në zgjedhjet e ardhshme Demokracia Sociale do të bashkëpunojë me parti të qendrës së majtë./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj