Kryetari i Komitetit Ndërparlamentar të Parlamentit Evropian për Stabilizim-Asociimin me Shqipërinë, Marco Tarquinio ka ofruar mbështetjen e plotë për anëtarësimin sa me shpejt të jetë e mundur në BE. Mazhoranca dhe opozita shkëmbyen akuza ndaj njëra-tjetrës për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit në Shqipëri, por edhe aktualisht po shohim zhvillime interesante të ndryshme në këtë vend.  Ne duam që të jemi në anën tuaj. Ne duam t’ju mbështesim në përpjekjet tuaja drejt BE-së. Reformat në parlamentin shqiptar kanë filluar tashmë të mishërojnë shpresat që kemi edhe ne Parlamentin Evropian dhe sigurisht edhe shpresën për t’u bërë vend anëtar i BE sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha kryetari i Komitetit Ndërparlamentar i PE-se, Marco Tarquinio.

Bashkëkryetari i Komitetit Toni Gogu, evidentoi progresin e shënuar drejt BE-së, në tryezën e negociatave. Në emër të opozitës për abuzimin me pushtetin ka folur Jorida Tabaku. Në këtë mbledhje ka folur edhe eurodeputeti grek Fredi Beleri. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi se, anëtarësimi në BE është një objektiv që nuk i përket një partie apo një tjetre, por është ambicia e të gjithë popullit shqiptar.

“Çelja e negociatave për grup-kapitullin e “Themeloreve” po e sjell marrëdhënien mes nesh në një fazë të re. Është një mesazh i fuqishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Kemi objektivin ambicioz për çeljen e të gjitha grup-kapitujve deri në fund të vitit 2025. Kjo është e arritshme, por absolutisht kërkon punë mjaft të madhe. Shqipëria duhet të ndërtojë punën e të konsolidojë reformën në drejtësi për të krijuar një bilanc arritjesh të tjera në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar krah forcimit e politikave parandaluese në sektorë më të prekshëm si prokurimi publik, shëndetësia, e të drejtat e pronësisë. Duhen masa për të parandaluar përdorimin e burimeve publike për qëllime zgjedhore, për të rregulluar në mënyrë më efektive financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore”, tha Gonzato.

Klan News