Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përvojë universitare, por dhe rasti i rrallë, pedagogë, por edhe ortakë në një biznes brenda fakultetit Ekonomik. Kjo është mënyra origjinale që kanë zgjedhur elita mësimdhënëse, për të pasur një fitim plus rrogës si pedagogë. 75 të tillë, në bazë të ligjit kanë ngritur një shoqëri aksionere, që menaxhojnë ushqimin dhe shërbimin e shpejtë në ambientet e shkollës.

Për dekanin e këtij fakulteti, ambientit nuk i ka ndryshuar funksioni. Fast Food ka qenë pjesë e projektit fillestar, dy variante ishin për praninë e tij, dhënia me qira e një privati, ose kjo që pedagogët e Ekonomisë praktikuan në ambientin ku punojnë. Duket se kemi pedagogë të interesuar për dije, por dhe xhiron e ditës në lokalin e përbashkët.

Sipas tyre, ky është një veprim që ua mësojnë studentëve në teori, e vetë e zbatojnë në praktikë. Për dekanin e fakultetit është një motivim i stafeve pedagogjike. Aksionet e 75 pedagogëve janë të diferencuara në bazë të vjetërsisë. Ndarja është e tillë, një pedagogë me 5 vite punë ka blerë një aksion, dy të tilla i takojnë dhjetë vjetarit dhe mbi 15 vite punë 4 aksione, që i përfitojnë profesorët me tituj.

Është pilotuar një shoqëri aksionere që mban përgjegjësinë e menaxhimit të një lokali, që frekuentohet nga 5 mijë studentë. Vlefta e investimit për pedagogun që ka një aksion është 17 mijë lekë, ndërsa ai që ka 4 aksione ka paguar 68 mijë lekë. Ende nuk është përllogaritur fitimi. Në të konsumohet përveç ushqimit dhe kafesë edhe pije alkolike. Pedagogët menaxherë kanë idenë e zgjerimit të këtij aktiviteti në forma të ndryshme./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti