I nxehti përvëlues ka qenë shkaku kryesor që në pelegrinazhin e Haxhit të këtij viti në Mekë, të humbnin jetën 500 persona. Shifra konfirmohet për mediat ndërkombëtare nga autoritetet e spitalit Al Muaisem në qytetin e shenjtë për myslimanët në Arabinë Saudite.
Shumica dërrmuese, më shumë se 2/3-at janë egjiptianë, siç konfirmojnë burimet diplomatike nga Egjipti. Viktima në radhët e pelegrinëve ka konfirmuar edhe Jordania, rreth 60 të tillë.
Ministria saudite e shëndetësisë tha se në spitalet e Mekës dhe qyteteve përreth u trajtuan të paktën 2 mijë pelegrinë, të cilët u paraqitën për shkak të problemeve, kryesisht kardiake.
Temperaturat në xhaminë e madhe të Mekës, të hënën arritën maksimumin në 51.8 gradë Celsius. Mesatarja e këtyre ditëve ka qenë 0.4 gradë më e lartë se normalisht.
Arabia Saudite shquhet për temperaturat më të larta në botë gjatë stinës së verës, por ngrohja globale po ndikon që ato të jenë gjithnjë e më të padurueshme për banorët vendas dhe vizitorët.
Këtë vit, Meka priti 1.8 milionë pelegrinë, ndërsa vitin e kaluar mes 1.6 milionëve humbën jetën gati 250 persona.
Tv Klan