Trajtimi me Tamiflu i personave të prekur nga gripi a H1N1 duhet të bëhet brenda 48 orëve të para nga shfaqja e simptomave, në të kundërt medikamenti nuk jep efektin e duhur. 

Përgjigja e analizave të personave të dyshuar nga laboratorët e ISHP-së del për tre ditë, duke bërë që të kaloj periudha prej 48 orësh e fillimit të medikamentit, ndaj janë mjekët infeksionistë ata që duhet të vendosin mbi bazën e shenjave klinike të përdorin apo jo Tamiflunë.

Pëllumb Pipero: “Përgjigjet e analizave shpesh na vënë në vështirësi për të mjekuar në kohën e duhur sepse neve këmbëngulim fort që mjekimi me Tamiflu të fillojë 48 orët e para. Deri tani duke u paraprirë dhe nga suporti i Instituti i Shëndetit Publik që të merrnim përgjigjen e shpejtë apo orientimin drejt gripit A brenda disa orëve. Tashmë neve nuk e marrim dot më për dy apo tre orë, pra e marrim për tre ditë. Tre ditë do të thotë që e kalon afatin e 48 orëve, ndaj dhe ne duhet të marrim një vendim më shpejt se kaq.”

Duke patur parasysh faktin se numri i personave që dyshohet se janë prekur nga virusi pandemik vjen në rritje, mjekët infeksionistë shprehen se në të gjitha rastet e dyshuara duhet filluar menjëherë trajtimi me Tamiflu.

Pëllumb Pipero: “Të gjitha rastet, të cilat paraqiten në spital apo e kërkojnë ndihmën mjekësore në shtëpi dhe plotësojnë kriterin klinik dhe atë epidemiologjik të fillohet trajtimi me Tamiflu pavarësisht nga koha e ardhjes së përgjigjes së analizave nga Instituti i Shëndetit Publik dhe ta vazhdojë trajtimin me Tamiflu në rast se mjeku klinikisht dhe epidemiologjikisht është i bindur, ta vazhdojë trajtimin me Tamiflu për pesë ditë së paku”.

Deri më tani disa persona janë trajtuar me Tamiflu. Në rastet e dyshuara ky medikament jepet falas nga mjeku edhe në kushtet e shtëpisë.

Pas daljes së analizave përfundimtare, personi që nuk rezulton të jetë prekur nga gripi pandemik e ndërpret menjëherë marrjen e Tamiflusë./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami