Policia e Roskovecit ka nxjerrë me dhunë 65-vjeçarin I. B. që ishte futur në grevë urie prej 4 ditësh, madje gjatë shoqërimit për në polici, ndonjë nga uniformat e ka qëlluar të moshuarin me mjet të fortë duke i shkaktuar një plagë në vetull. Por pas disa orësh në izolim në komisariat ai është lënë i lirë dhe ka nisur sërish grevën. Komandanti i policisë në Roskovec është justifikuar me argumentin se policia ka zbatuar një urdhër të bashkisë për të nxjerrë 65-vjeçarin nga baraka ku vazhdonte grevën.
Pensionisti, që ndihmohet gjatë gjithë kohës nga gruaja e tij, kërkon që bashkia të zbatojë një plan rregullimi të miratuar nga vetë kjo bashki për ndërtimin e një rruge në Roskovec. Sipas pensionistit I. B., por edhe banorëve që e mbështesin atë, në vitin ‘94 në Roskovec është bërë dhe miratuar një plan rregullimi, sipas të cilit, krahas dhe paralel me rrugën kryesore automobilistike që lidh Beratin me Fierin, do të ndërtohej edhe një rrugë dytësore 14m e gjerë dhe me trotuare e lulishte në mes të lagjes, por 10 vjet më pas projekti jo vetëm që nuk është zbatuar, por hapësirat boshe janë zënë me ndërtime që ligjërohen nga pushtetarët lokalë.
Banorët akuzojnë kryetarin e bashkisë për këtë xhungël ndërtimesh në Roskovec dhe premtojnë se do të bashkohen me të moshuarin duke u ngujuar në grevë urie. /tvklan.al