Një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës në Divizionin B të Ligës së Kombeve. Ky është plani në kombëtaren shqiptare për sfidën ndaj Gjeorgjisë. Trajneri, Silvinjo shprehet i bindur se skuadra ka cilësitë për të marrë pikë në Tbilisi pas një ndeshje të vështirë kundër Çekisë.

“Ne kemi shpenzuar shumë energji ndaj Çekisë. Do të jetë edhe kjo një ndeshje e vështirë. Nuk e dijmë me cilët lojtarë do të luajmë. Kemi pasur një udhëtim të vështirë, rreth 4 orë rrugë. Do të analizoj lojtarët dhe do të shikoj se kush do të aktivizohet nga minuta e parë. Duhet të marrim pikë për të arritur objektivin, pasi në të kundërt do të na prishte planet. Është shumë e rëndësishme për të marrë rezultat pozitiv. Janë të fortë, por edhe ne jemi skuadër e fortë.”

Mbrojtësi Ardian Ismajli nuk i trembet faktin që përballë do të ketë yllin e Napolit, Kvaratshkelia. Një arsyeje që nuk pritet të ndryshojë stilin e lojës së kuqezinjve.

“Plani jonë është me u fut në ndeshje për të bërë më të mirën siç kemi bërë deri tani. Ekipi gjeorgjian luan me kundërsulme, do presim më shumë topin e dytë. Plani jonë do të jetë me të njëjtën skemë dhe shpresojmë të ia dalim në fund”.

Kjo përballje do të luhet në orën 18:00 të kësaj të hënë dhe mund të keni mundësi për ta ndjekur ekskluzivisht dhe falas në televizionin kombëtar “Klan”.

Klan News