Gara për titullin kampion në Premier League për Arsenalin kalon përmes “Old Trafford”. Londinezët do masin forcat me vendasit e Manchester United për të mbajtur sërish pas rivalët e Manchester City. Një 90 minutësh tepër delikat pasi dy ekipet garojnë për objektiva të ndryshëm këtë sezon.
“Djajtë e kuq” duan të shmangin akoma dhe më shumë sezonin katastrofik, pasi deri më tani më 13 humbje kanë sezonin më të keq në histori. Topçinjtë fituan katër ndeshje të njëpasnjëshme të ligës, tre prej të cilave u shoqëruan me portën e paprekur. Gjithsesi, fati i Arsenal nuk është totalisht në duart e saj, pasi hapat fals duhet të bëhen edhe nga City.
Edhe historia nuk e favorizon ekipin e Mikel Artetës në kampionat, pasi kanë fituar vetëm një nga 16 ndeshjet e fundit në “Teatrin e Endrrave” me 5 barazime dhe 10 humbje që nga shtatori i vitit 2006. Por defektet e United këtë sezon janë të shumta.
Djajtë nuk kanë arritur të mbajtë portën e paprekur në asnjë nga 9 ndeshjet e fundit, ndërsa kanë arritur vetëm dy herë ta bëjnë një gjë të tillë këtë sezon. Me pak fat, United do garantonte një biletë në Kupat e Europës përmes kampionatit në dy takimet e mbetura, ndërsa për Arsenalin testet sa vijnë e bëhen më të vështira.
Klan News