Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Familja Sina ka përcjellë për në banesën e fundit djalin e saj Genc Sinën, shoferi i familjes Sollaku vrarë një ditë më parë. Të afërm të Gent Sinës dhe kolegë të tij në gardë, janë kujdesur që gjatë nderimeve mortore, e më pas gjatë funeralit në varrezat e Saukut, kamera dhe përfaqësues të medias të qëndrojnë larg.

Kryeprokurori Sollaku ka ngushëlluar të afërmit e të ndjerit në orët e mesnatës, pak pasi kufoma ishte sjellë pranë familjes. Më pas Sollaku ka marrë pjesë edhe në funeral, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza 17-vjeçare, ku familja Sollaku ka përcjellë me ngashërim të ndjerin, që prej një viti e gjysmë i shoqëronte në lëvizjet e përditshme.

Gruaja dhe vajza e prokurorit po lëviznin në makinën e drejtuar nga Genc Sina edhe në momentin e vrasjes dhe janë bërë dëshmitare të ngjarjes tragjike. Ndërkohë pranë apartamentit të kryeprokurorit Sollaku janë shtuar masat e sigurisë me ushtarë dhe oficerë civil të gardës.

Megjithëse deklarata e zyrës për shtyp pranë kryeprokurorit e cilëson të përfunduar hetimin për motivin e ngjarjes, duke theksuar se nuk ka lidhje me detyrën pranë kryeprokurorit, çdo lëvizje e familjes, madje dhe e djalit 6-vjeçar të Sollakut është monitoruar nga efektivë të gardës./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj