Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Incidentet e muajit të fundit në veriun e Maqedonisë, në kufirin me Kosovën, kanë reflektuar ndjeshëm edhe në Kosovë. Vetëm pak ditë pas fillimit të konflikteve në zonën e nxehtë, Shkupi zyrtar dhe perëndimi, vazhdimisht kanë akuzuar Kosovën për përfshirjen në konflikt. Ndërkaq KFOR-i ka marrë masa të menjëhershme. Amerikanët e KFOR-it janë vendosur në zonën kufitare, për të mënjanuar siç thonë ata, çdo përfshirje të Kosovës në incident.
Ndërsa Prishtina zyrtare, ka kërkuar vazhdimisht zgjidhje politike, opinioni publik në Kosovë nuk duket ende unik në zgjidhjen e çështjes. Nga ana tjetër incidenti afër fshatit të Miakut, ku ushtarët amerikanë u kërcënuan me armë nga disa shqiptarë të armatosur, i mbushi mendjen NATO-s të jepte OK për rivendosjen e trupave serbe në trekëndëshin Kosovë-Serbi-Maqedoni.
Serbët ia kanë shpërblyer aleancës duke dërguar ish-shefin famëkeq të korpusit të Prishtinës, gjeneralin Nebojsha Bavkoviç, në sektorin C, të zonës së sigurisë. Ndërkombëtarët ende nuk kanë shprehur qëndrimin e tyre për lëvizjen e fundit të Beogradit, por shumë shpejt ata mund të pendohen për marrjen e një hapi të nxituar./tvklan.al