Pritjes i ka ardhur fundi. Sandro Tonali bëhet gati për tu rikthyer në fushë, pas 10 muajve jashtë.
Dënimi i mesfushorit ka përfunduar dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës të Newcastle ndaj Nottingham, në Kupë.
Trajneri Eddie Howe e ka grumbulluar italianin për sfidën e 28 gushtit dhe pritet t’i japë minuta për të luajtur.
Tonali u pezullua në muajin tetor, për shkak të shkeljes së rregullave të basteve. Lojtarëve nuk iu lejohet të luajnë baste sportive, diçka që futbollisti në fjalë nuk e kishte respektuar.
Për këtë arsye, 24-vjeçari u dënua me 10 muaj pezullim, të cilin tashmë e ka përfunduar dhe është gati për të zbritur në fushë.
Trajneri Howe njoftoi në konferencë për shtyp se Tonali është në gjendje shumë të mirë fizike, ndërsa theksoi se ka punuar shumë me ekipin në stërvitje gjatë kësaj periudhe. /tvklan.al