Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme ka përfunduar “Vetting -un” për 775 gjyqtarët dhe prokurorët.

Televizioni Klan ka mësuar nga burime konfidenciale se pas 1 muaj gjysmë pune voluminoze, dy javë më parë, Hipoteka ka dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, shkresat dhe dokumentet për pasurinë që kanë të gjithë ata që janë subjekt i procesit të Vetting -ut.

Në dosje përfshihen edhe pasuritë e familjarëve të afërt: bashkëshortët dhe fëmijët.

Pas përfundimit të këtij procesi, Hipoteka është në pritje të një liste të dytë që do të vijë po nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, e cila në përmbajtje të saj do të ketë një numër më të madh subjektesh që do të kontrollohen e që janë të afërm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Burimet thonë se lista e dytë do të jetë baza që do të merret parasysh në kontrollin e pasurisë që do t’u bëhet personave të sistemit të drejtësisë.

Më pas do të jetë ILDKP që do të kontrollojë të dyja datat nëse ka apo jo ndryshime dhe transferimeve të muajve të fundit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Tv Klan