Lajme Arkiva 2003

Ora 10:00 e 12 Dhjetorit pezullon të gjitha atributet partiake që gëzon kryetari i Partisë Socialiste, kryesia, sekretarët, KPD-ja dhe të gjitha forumet e tjera.

Të gjitha funksionet i kryen përfaqësia e kongresit e përbërë nga 53 anëtarë e cila është zgjedhur me short një ditë më parë dhe do të prezantohet në hapje të Kongresit të 6-të të Partisë Socialiste.

Mes tyre nuk ka emra publik. Anëtarët e përfaqësues nuk përfshihen as në listën e anëtarëve të rinj të komitetit të përgjithshëm drejtues dhe as në listën e Komisionit Qendror të Garancive Statutore.

Kryetari i përfaqësisë do të zgjidhet me short në kongres. Mbledhja e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues ka miratuar përbërjen e presidiumit që do të kryesohet nga kryeministri Fatos Nano. Mes 11 anëtarëve do të jenë 4 sekretarët e partisë, Ruçi, Zela, Agasi, Dibra, kryetari i forumit të grave si dhe kreu i KESH-it, Koja.

Fatos Nano do të lexojë raportin e Partisë dhe më pas do të mbahet raporti i financieres dhe Komisioni Qendror të garancive statusore. Kongresi socialist shoqërohet me pyetje dhe diskutime për çdo raport, ndaj dhe çdo 19 minuta do të ketë pushime.

Do të votohen ndryshimet në program dhe statutin e pavarësisë. Lista e anëtareve të rinj të Komisionit Qendror  të Garancive Statusore, Komitetit të Përgjithshëm Drejtues,  agjenda parashikon shpalosjen e platformës së kandidatëve për kryetar dhe sekretar të përgjithshëm në parti dhe më pas votimin e tyre, por deri më tani dy kandidatët për kryetar Rama dhe Meidani nuk kanë mundur të mbledhin 57 firmat e nevojshme për kongres.

Gramoz Ruçi: Asnjë kandidat deri tani nuk është regjistruar. Nesër mblidhet kryesia, vetëm në atë moment mund të flitet për siguri firmash apo për mos siguri firmash.

Disa deputet socialist, mes tyre dhe mbështetës të kandidatit Meidani denoncuan se kryetari i Partisë po ushtron presion mbi mbledhjen e firmave.

Dritan Prifti: Kjo hapësirë kaq konkurruese vetëm për një krah të konkurrimit siç është kryeministri dhe kryetari i Partisë, sigurisht që e cenon rëndë paanshmërinë, legjimitetin e kongresit.

Edhe Petro Koçi u shpreh kundër zgjedhjes së delegatëve me kompromis në disa konferenca ndërsa shpalli zyrtarisht kandiaturën e tij.

Petro Koçi: Kam vendosur që të vendos kandidaturën për provë në kongres për tu zgjedhur në detyrën e lartë të sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në këtë garë unë nuk dua të sfidoj Gramozin./tvklan.al