Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ishte i ftuar këtë të enjte në “Opinion”. Ai foli për disa përgjime të Sky ECC të cilat sipas tij provojnë lidhjen mes eksponentëve të rëndësishëm të mazhorancës socialiste dhe krimit të organizuar për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë apo Policinë e Shtetit.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se për çfarë përgjimesh bëhen fjalë, Bardhi tha se “bëhet fjalë për të dhëna që nuk janë publikuar deri më tani për faktin e thjeshtë sepse mbrohen nga sekreti hetimor”.

“Del e provuar se si eksponentë të rëndësishëm të mazhorancës jo vetëm bashkëpunojnë, të nivelit shumë të lartë, anëtarë qeverie mes tyre patjetër, se si ndihmojnë eksponentë tashmë publikë dhe të provuar nga SPAK të krimit të organizuar në çështjet që ata kanë me drejtësinë. Ndërhyjnë në prokurorë, në punonjës të policisë”, shtoi Bardhi.

Ai tha se nuk i ka publikuar këtë të dhëna, të cilat sipas tij edhe SPAK i disponon, për t’i lënë prokurorisë kohën e nevojshme që të bëjë punën e saj. Por nëse prokuroria nuk vepron, Bardhi tha se të dhënat do të publikohen për shkak të interesit të lartë publik që kanë.

“Të jeni të sigurt që të dhënat do të bëhen publike sepse prevalon interesi publik. Nëse ka në këtë vend prokurorë që duan të fshehin lidhjet mes krimit dhe qeverisjes, faktin që eksponentë të rëndësishëm me pushtet në Shqipëri ndihmojnë apo ndërhyjnë për të ndihmuar eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar që atyre të mos i cënohet fjala vend pasuria kjo përbën çështje me interes publik dhe unë jam në politikë për të mbrojtur interesin publik. Po i jap kohën e nevojshme prokurorisë për të bërë detyrën e vet. Dua që institucionet të funksionojnë sipas rregullave të këtij vendi. Nëse dështojnë të përmbushin misionin e tyre unë do të përmbush misionin si përfaqësues i qytetarëve”, tha Bardhi.

E tashmë pyetja lind se sa kohë do i japë Bardhi SPAK-ut para se t’i publikojë të dhënat. Fillimisht ai shprehu bindjen se prokuroria do të veprojë dhe se nuk ka një afat të caktuar për këtë gjë. Megjithatë theksoi se prokurorisë nuk i duhen shumë që të lexojë ato që ka përpara.

Nëse SPAK i duhet një vit që të lexojë atë që ka, do marr mesazhin patjetër që këtu ka një tentativë të  qartë nga prokuroria për ti fshehur këto të dhëna”, tha Bardhi./tvklan.al