Dhuna në familje mbetet një fenomen shqetësues i shoqërisë shqiptare. Vetëm gjatë nëntë mujorit të parë të këtij viti janë denoncuar në polici mbi 900 raste të dhunës ndaj grave.

Për të marrë në mbrojtje personat e dhunuar, pritet që në fillim të vitit të ngrihet dhe qendra e parë për to.

Ana Xheka: “Në muajt e parë të vitit të ardhshëm është në proces përfundimi streha e parë kombëtare për viktimat e dhunës në familje, e cila do tu ofrojë atyre strehim, mundësi për formim profesional dhe mundësi për punësim derisa ato të riintegrohen sërish në jetën normale shoqërore.”

Kjo qendër e ngritur nga qeveria do të shërbej si shembull për pushtetin vendor i cili ka për detyrë ligjore  të ndërtojë të tjera qendra për mbrojtjen e femrave të dhunuara.

Ana Xheka: “Bashkitë dhe komunat duhet të marrin në konsideratë nevojat që kanë viktimat e dhunës ne familje në vendin ku ato ndodhen dhe të marrin të shikojnë mundësinë për të ngritur këto streha. Gjithashtu  për të vënë në funksionim dhe linjën 24 orëshe pasi është shumë e rëndësishme që në çdo moment, në çdo kohë qoftë ditën, qoftë natën në momentin e dhunimit viktimat e dhunës në familje  të kenë një mundësi që të denoncojnë në momentin më të parë të mundshëm dhunën e cila mund të prodhojë pasoja të tjera, të cilat do të kenë një kosto shumë më të madhe për tu shmangur.”

Ngritja e këtyre qendrave është domosdoshmëri për vetë faktin se në shumicën e rasteve bashkëshortët dhunues janë dhe pronarët e vetëm të banesës, çka vështirëson zbatimin e urdhrit të mbrojtjes për largimin e tij nga banesa./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami