Autorët dhe viktimat e dhunës në familje në Kosovë që kanë një urdhër mbrojtje do të monitorohen përmes një sistemi elektronik. Për të parandaluar përsëritjen e dhunës dhe ngjarjeve të rënda autoritetet në Prishtinë kanë prezantuar sistemin e mbikëqyrjes elektronike, i cili konstaton në pajisjen e individëve të përfshirë në këto konflikte me aparatura që mundësojnë lokalizimin në çdo kohë të tyre.
Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë: Përmes pajisjeve te personi ndaj të cilit ka vendim gjykate në raport me mbikëqyrjen elektronike do të vendoset një hallkë në këmbë që do ta mbajë me vete gjithnjë këtë pajisje. Në të njëjtën kohë edhe viktima detyrohet që të mbahet një pajisje në mënyrë që të dihet lokacioni i saj dhe që Policia e Kosovës të jetë në gjendje që të mbrojë viktimat në këto raste.
Ministrja Haxhiu thotë se ky sistem do t’u mundësojë viktimave mbrojtje të shtuar.
Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë: Kjo përçon mesazh të qartë në dy drejtime, së pari ndaj dhunuesve që ata do të mbikëqyren nga shteti kur kanë të vendosur vendime të gjykatave pra urdhra mbrojtës, përmes së cilave iu ndalohet që t’i afrohen viktimës. Në anën tjetër përçon mesazh edhe tek viktimat që ato do të jenë të mbrojtura.
Një raport i Grupit për Studime Juridike dhe Politike i publikuar së fundmi thekson se dhuna në familje në Kosovë ka shënuar rritje në krahasim me të kaluarën, teksa në periudhën Korrik 2023-Qershor 2024 janë regjistruar 2 mijë e 856 raste.
Tv Klan