Shqipëria është në prag të epidemisë se gripit sezonal, i cili po shfaqet edhe me i rrezikshëm se virusi A H1N1. Deklarata është e kreut te dikasterit të shëndetësisë, Petrit Vasilit, i cili u rekomandoi qytetarëve që të shmangin grumbullimet masive, për evituar kështu përhapjen e dy viruseve gripale që kanë shkaktuar mijëra viktima në mbarë botën.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të gazetarëve për tubimin e parashikuar për të premten nga Partia Socialiste, Petrit Vasili tha se edhe në Evropë grumbullimet e tilla janë eliminuar e madje nuk lejohen.
Petrit Vasili: “Jemi në fillimin e një epidemie sepse rastet janë shtuar dhe përveç tjerave janë shfaqur për fat të keq mund të thuhet me klinikë çik të ashpër dhe me temperatura mjaft të larta. Në gjendjen e një pandemie dhe të një epidemie sezonale së bashku, sigurisht rrisqet janë të amplifikuara shumë serioze. Grumbullime të mëdha masive, për me keq akoma dhe të parashikuar si disa ditore, në Evropë janë eliminuar dhe nuk sugjerohen, bile janë kërkuar ndalimi i menjëhershëm i tyre.”
E për shkak të kësaj rrezikshmërie, ministri Vasili tha se gjatë protestës do të mbahet hapur non stop laboratori i analizave të A H1N1 dhe se pranë protestuesve do të ketë edhe ekipe mjekësore.
Perit Vasili: “Duke vlerësuar një situatë ekstremalisht të rrezikuar, kemi presdipozuar një sistem të alarmit shëndetësor. Sigurisht laboratorët tanë do qëndrojnë, në rastin konkret për çështjen e virozës, gripit të derrit në mënyrë të veçantë do qëndrojnë të hapur gjithë kohën, ndihma mjekësore do jetë aty. Sigurisht është një situatë e cila në vë përpara një situate krejtësisht të paparashikuar. Ne do të kërkonim dhe kemi sugjeruar se edhe në institucionet publike të evitojnë grumbullimet jo më në masa të mëdha të tilla.”
Të gjendur në këtë situatë, ministri i Shëndetësisë u kërkoi qytetarëve përgjegjshmëri maksimale edhe në rastet kur konstatojnë simptoma të virozave, duke i këshilluar që të kontaktojnë pa asnjë vonesë me mjekun. Në fund të muajit pritet mbërritja e vaksinave të posaçme kundër gripit të derrit. Ndërsa vaksina e gripit sezonal është në treg prej disa javësh. /tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami