20 vjet më parë, në verën e 1989-ës, shpresat e rinisë së Gjermanisë Lindore mbanin frymën pezull përtej “Murit të Berlinit” që ndante më dysh gjermanët vetë, me shpresa jo dhe shumë të ndryshme nga ato të rinisë shqiptare në vitet ‘90-‘91. 

“Adami dhe Evelina” romani më i ri i shkrimtarit gjerman, Ingo Schulze, dikur gazetar në Republikën Demokratike Gjermane, rrëfen historinë e Adamit, rrobaqepësit nga provinca e RDGJ-së që ndjek të dashurën Evelinën deri në liqenin Balaton në Hungari për të shpëtuar lidhjen e tyre.

Me pak gjëra me vete e shumë shpresa, protagonistët udhëtojnë pas hapjes së kufirit dhe arrijnë më në fund në Bavari.

Ardian Klosi: “Krijohet një konflikt shumë i madh sepse vjen në Perëndim ku nuk i duan rrobat me porosi, ku rrobat blihen të gjitha të gatshme dhe ky është rrobaqepës i specializuar për gra. Më shumë se nostalgji është një vështirësi për t’u adaptuar me jetën e re. Ka bërë një eksperiment në këtë libër, është praktikisht i ndërtuar mbi dialogje i gjithi, të duket sikur e shikon nga fillimi deri në fund si një film. Por siç është jeta e njeriut domethënë me momente dramatike, tragjike.”

“Adami dhe Evelina”, i publikuar vetëm një vit më parë nga Schulze, është përkthyer deri më tani në 20 gjuhë.

Në mbrëmjen letrare të organizuar në ambasadën gjermane në “Ditët e Tetorit Gjerman”, u interpretuan pjesë nga dialogjet e romanit nga përkthyesi Ardian Klosi dhe aktorja Valbona Imami.

Ingo Schulze do të vizitojë Shqipërinë në Janar të 2010-ës në kuadër të një udhëtimi letrar./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani