Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Në Mitrovicë një grup shqiptarësh janë përleshur sot me forcat franceze të KFOR-it. Ngjarja ka ndodhur pasi shqiptarët kanë dashur të kalojnë në anën tjetër të qytetit, i cili dihet që është i ndarë në dy pjesë nga një urë. Problemi i ndarjes së qytetit u vu re që pas hyrjes së trupave franceze ku mes shqiptarëve dhe serbëve ka pasur dhe përleshje. Shqiptarët kanë kërkuar që të lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në lagjen serbe të qytetit të Mitrovicës.

Njëri prej liderëve opozitar serb Vuk Drashkoviç ka takuar sot në Romë ministrin e jashtëm Italian Lamberto Dini. Ndërsa diktatori Millosheviç ka deklaruar në Beograd se megjithëse opozita po përkrahet nga perëndimi ne kemi aq forca sa do ta rindërtojmë vendin. Millosheviç po përgatitet për të dalë në sheshin kryesor të vendit në 19 Gusht në një miting të madh për të rifituar përkrahjen e popullit të tij./tvklan.al