Ndonëse urat janë simbol i bashkimit, ura e Ibrit vazhdon të jetë simbol i ndarjes që nga paslufta, ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut konkretisht ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Madje kjo urë është bërë mollë sherri edhe në raportet e qeverisë së Kosovës me faktorin ndërkombëtar.
Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për masa të reja ndaj Kosovës për analistët nënkupton se Kosova duhet t’i thotë lamtumirë anëtarësimit në BE.
Dritëro Arifi, analist politik: Na duhen fitoret e Piros. Nëse vazhdon me sanksionet nuk është se do të na mbysin, por Kosova mund të harrojë anëtarësimin në BE.
Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla, ka thënë se veprimet e njëanshme të qeverisë mund ta përkeqësojnë situatën deri në atë pikë që “të mos ketë kthim”.
Donat Syla: Është iluzion të mendohet se ne mund të shtrijmë autoritetin e Kosovës në çdo cep të vendit pa koordinim me aleatët tanë të cilët janë edhe sponsorë të Pavarësisë së Kosovës. Nuk jemi duke bërë integrimin e serbëve, por jemi duke bërë spektakël elektoral pasi që jemi në prag të zgjedhjeve, por kjo aspak nuk do ta ndryshojë situatën.
Por ndryshe mendon analisti tjetër Nexhmedin Spahiu.
Nexhmedin Spahiu, analist politik: Është me vend. E përkrah dhe ura duhet të hapet sa më parë. Fakti që ura ka qenë e mbyllur që 25 vite është një ndeshje mes ideologjive kombëtare serbe dhe asaj të Kosovës.
Paralajmërimin e Brukselit për masa të reja ndëshkimore, qeveria e Kosovës i sheh si jo si zgjidhje pasi sipas tyre, koha ka dëshmuar se janë të padrejta.
Tv Klan