Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Partia Demokrate e Reformuar i kërkon qeverisë, të angazhohet seriozisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve për ta nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve më të prekura nga këto veprimtari të jashtëligjshme. Sipas demokratëve të rinj, përsëritja e akteve kriminale në vend ndikojnë negativisht në imazhin e Shqipërisë, me gjithë angazhimin e saj në krah të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Gjithashtu PDR ka dënuar aktet terroriste që kanë tronditur botën ditët e fundit, duke i cilësuar ato si përpjekje për të bllokuar demokracinë.
Forumi Rinor i Partisë Demokratike, ka denoncuar një projektvendim të qeverisë shqiptare sipas të cilit, në vitin e ardhshëm akademik, studentët do të paguajnë një taks regjistrimi prej 30 mijë lekësh nga tre mijë lekë që është aktualisht. Kjo taksë është cilësuar e papranueshme dhe e papërballueshme nga FRPD, të cilët kanë paralajmëruar se do ta hedhin poshtë atë, para se të marrë formë përfundimtare.
Sipas të rinjve demokrat, taksa e parashikuar nga qeveria, jo vetëm do të bëjë të pamundur vazhdimin e studimeve të larta për shumicën e studentëve, por është edhe e pa justifikueshme, pasi arsimi publik në Shqipëri është falas. Drejtues të FRPD kanë paralajmëruar, se për të arritur anulimin e taksës prej 30 mijë lekësh, do të iniciohet një peticion, si dhe do të mbështetet çdo lëvizje që do të ndërmerret nga studentët.
Kryetari i PDK Nikollë Lesi, i ka bërë thirrje elektoratit, që me votat e tyre të kontribuojnë në heqjen e monopolit politik të dy partive të mëdha në vend. Ndërsa ka njoftuar se kjo parti do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme lokale. Në një takim me demokristianët e Malësisë së Madhe, zoti Lesi ka folur gjithashtu dhe për krijimin e një lobe parlamentare ekonomik, me deputetë të veriut të Shqipërisë, pa dallim ngjyrimesh partiake, për të bërë presion mbi qeverinë, në funksion të zhvillimit të kësaj zone./tvklan.al