Bushati: Qeveria e Berishës izoloi vendin
Ditmir Bushati: “Në kundërshtime me propagandën boshe të oborrit të kryeministrit dhe tonelatat e gënjeshtrave elektorale për Shqipërinë pa viza, qëndrimi i fundit dhe propozimi i Komisionit Evropian konfirmon se qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Duke penalizuar kështu padrejtësisht shqiptarët që do të vazhdojnë të mbeten peng i regjimit të vizave ndërkohë që qytetarët e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi do të lëvizin lirish në Evropë, qeveria familjare e Sali Berishës thellon më tej hendekun mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.”
Mëhilli: Rama në panik për shkak të humbjes
Erla Mëhilli: “Dje dhe sot Edi Rama në vazhdën e përpjekjeve për të maskuar humbjen e zgjedhjeve shprehu gëzimin dhe kënaqësinë se komisioni evropian vendosi të shqyrtojë gjatë vitit liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Dje çuni i Kristaqit e sot çuni i Sukës, derdhën lot krokodili për këtë vendim dhe akuzuan qeverinë si përgjegjëse për të. Partia Demokratike duke i konsideruar të neveritshme këto deklarata të çunave të bllokut siguron shqiptarët se premtimi i saj elektoral për heqjen e vizave gjatë vitit të parë të mandatit të saj të dytë do të bëhet realitet. Një realitet që do të gëzojë çdo shqiptar përveçse disa pinjollëve të nomiklaturës së vjetër komuniste, të cilët në mentalitetin dhe psikologjinë e tyre ndihen të lumtur vetëm kur shohin që interesat e tyre personale dhe jo të shoqërisë realizohen. Të tilla deklarata të zotit Rama, në tentativë për të maskuar humbjen dhe shpëtuar veten nga dorëheqja do të kemi rastin t’i dëgjojmë gjatë gjithë verës sepse në fakt këto janë deklarata të nëj humbësi në panik të cilat nuk i ka as për Partinë Demokratike dhe as për mazhorancën, or i sajon si alibi për t’i shpëtuar verdiktit tashëm të socialistëve pasi mori verdiktin e të gjithë shqiptarëve në 28 qershor.”
Garuli: Rama të pranojë humbjen
Aleksandër Garuli: “Kundërshtimi i pabazuar i rezultateve të zgjedhjeve nga lidershipi i PS-së vjen ndesh me interesat e vendit. Sot që vendi ynë është përballë sfidave të mëdha nuk mund të mbetemi peng i një grushti njerëzish që në krye të Partisë Socialiste thjesht për interesat e tyre të vogla po përpiqen të dëmtojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Për Partisë Socialiste që tashmë është përsëri në opozitë do të ishte më dinjitoze dhe më e favorshme që të pranonte humbjen duke respektuar në këtë ,mënyrë vullnetin e shprehur të elektoratit shqiptar.
Meksi: Qeveria rrit taksat për të mbuluar shpenzimet
Ermelinda Meksi: “Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh reagimin e saj të fortë kundër lëvizjes më të fundit të qeverisë për ngritjen e akcizës për disa mallra të caktuara si dhe rritjen indirekte të taksës doganore nëpërmjet ndryshimit të mënyrës së zhdoganimit të disa produkteve nga importit me origjinë jo nga BE-ja. Tërheqim vëmendjen për kohën kur u bë ky ndryshim mbasi duhen më shuam se dy muaj të mblidhet parlamenti që do ta ratifikojë atë si dhe mungesën e transparencës për këtë ndryshim fiskal që do të ketë pasoja shuam negative për bizneset dhe konsumatorët në vend. Një lëvizje e tillë duket qartësisht se bëhet për nevoja të ngutshme të momentit, Partia Socialiste e Shqipërisë me kohë ka deklaruar atë që tashmë është e qartë për të gjithë se babëzia elektorale e Partisë Demokratike në fushatën e stërzgjatur dhe faturën e shtrenjtë që ajo solli do të paguhej nga bizneset e ligjshëm dhe qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.”/tvklan.al