“Nuk kemi pse t’ia japim privatit Portin e Durrësit”

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, doli kundër mazhorancës në lidhje me miratimin e koncesionit në Porto-Romano të Durrësit.

Sipas deputetit socialist, në Kuvend po mundohet të miratohet një kontratë pa garë, pa procedurë dhe pa ligj, me gjithë situatën e vështirë që po kalon vendi.

Ai i kërkoi deputetëve socialistë që të marrin kohën e duhur për të bërë një analizë për këtë projekt, pasi si mazhorancë, nuk kanë të drejtë që të marrin vendime për 30 vitet e ardhshme

“Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri, pa garë, pa procedurë dhe pa ligj, në një situatë të vështirë në të cilën po kalon vendi. Dua të filloj me një lutje në radhë të parë me ju zoti kryetar meqenëse jeni një deputet me shumë eksperiencë dhe shumë i matur në drejtimin e politikës shqiptare. Jam dakord kur thatë që nuk jemi Zota të këtij vendi dhe duhet të jemi të kujdesshëm me liritë politike dhe ekonomike të qytetarëve që përfaqësojmë. Në rast se do t’i qëndrojmë këtyre fjalëve do t’ju lutesha që të mos e votojmë këtë kontratë. T’i japim kohë vetes për të bërë një analizë sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Jemi një forcë e qendrës së majtë dhe nuk kemi asnjë tagër, as si mazhorancë dhe as si Kuvend i Shqipërisë që të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re. Nuk kemi asnjë tagër për të marrë vendime për 30 vitet e ardhshme”, tha Bushati.

Sipas deputetit, duhet një strategji e përbashkët për zhvillimin e detit. Por me kontratën e re, Bushati thotë se Portit të Durrësit po i ndryshohet në thelb objekti.

“Po synohet që me këtë kontratë që portit të hidrokarbureve t’i ndryshohet në thelb objekti. Mjafton të bësh leksionin numër një në të drejtë civile për të kuptuar që thelbi i kontratës është objekti. Minimalisht sot duhet të kishim një projekt vizibiliteti”.

Në fund të fjalës së tij, ish-ministri u shpreh: “Nuk kemi pse e marrim portin e Durrësit dhe ia japim privatit”. Megjithatë ai bëri thirrje që mazhoranca të ndahet nga oligarkia.  

“Kam respekt për kapitalin, kam respekt për çdo biznesmen. Duhet të ndahemi me oligarkinë. Nuk duhet të bëhemi si PD që ditën vajton dhe natën u shkel syrin oligarkëve. Nuk kemi pse i japim bonuse Presidentit që të dalë si garant i mbrojtjes së publikes. Interesin e publikes duhet ta mbrojmë ne. Ne jemi Partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Ne kemi thënë që do t’i anulojmë koncesionet. Këtu është momenti për ta vërtetuar. Pse e kemi futur me procedurë të përshpejtuar, për 30 ditë nuk kemi mundësi ta analizojmë”, tha Bushati./tvklan.al