Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Mungesa e dritave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ishin problemet kryesore që shqetësuan politikën shqiptare në vitin 2000. Pozita dhe opozita ruajtën pozicionet agresive kundrejt njëra-tjetrës, duke gjetur pretekste të ndryshme për t’iu shmangur dialogut, si edhe në rastet e tjera, kur shqiptarët iu janë drejtuar kutive të votimit, rezultatet nuk janë pranuar nga opozita, me akuzën e manipulimeve në zgjedhjet lokale.
Partia Demokratike zgjodhi rrugën e protestave, ndërsa mazhoranca ndonëse ka pranuar në parim ndryshimet në kodin elektoral dhe KQZ, nuk ka pranuar kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve lokale në disa zona.
Politika nuk i ka lënë shqiptarët të mendojnë gjatë për paratë e humbura në firmat piramidale, sepse gjatë vitit 2000 u rishfaq një tjetër skandal, ai i humbjes së thesarit të shtetit. Në Qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare, shqiptarët presin që politika të shuajë frymën e konfliktit, për më tepër dritë, qetësi dhe dashuri./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame