Në takimin e organizuar në një nga lagjet e qytetit antik të Beratit, zv/kryeministri Genc Pollo u ndal në reformat e arritjet e këtyre katër viteve të qeverisjes së koalicionit të djathtë.
Numri dy i qeverisë kritikoi ashpër dhe kreun e Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një zë mohues i të gjitha reformave që ka përjetuar Shqipëria.
Genc Pollo: “I vetmi zë hileqar, dyshues, mohues, refuzues është zëri i Edi Ramës dhe i Partisë Socialiste, që përpiqet të thotë që këto gjëra nuk kanë ndodhur, këto gjëra nuk ekzistojnë sepse nuk janë meritë e tij.”/tvklan.al
Në vijim të turit të tij në qarkun e Fierit kreu aleancist, Neritan Ceka, u ndal në qytetin antik të Bylisit në qarkun e Fierit.
Gjatë kësaj vizite Ceka i vuri theksin zhvillimit të vlerave kulturore si dhe kthimin e Bylisit në një zonë kryesore të turizmit.
Neritan Ceka: “T’i japim më vlera kulturës tonë kombëtare. Ta integrojmë atë në jetën e sotme. Këtu ka vite që është realizuar gërmimi. Tani po bëhen punime restaurimi, të cilat synojnë ta kthejnë Bylisin në një qendër edhe shfaqjesh muzikore teatrale dhe një nga qendrat më të vizitueshme pas Apolonisë edhe Butrintit.”
Kreu i Aleancës Demokratike prezantoi dhe Artan Koçin kandidatin për deputet në qarkun e Fierit./tvklan.al
Kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, zhvilloi një takim me mbështetës e simpatizantë të tij në fshatin Spiten të Lezhës.
Duke u ndalur në kandidaturat e tjera rivale Lesi tha se parlamenti i ardhshëm nuk ka nevojë për njerëz të interesave personale, por për ata njerëz të cilët kritikojnë moszbatimin e ligjit dhe ndihmojnë vendin që ata përfaqësojnë.
Nikollë Lesi: “Ai kandidat, i cili është në qarkun e Lezhës dhe që po shpërndan miell, miell nëpër shtëpia dhe premton para, lekë në këmbim të votës ai kandidat po ju garantoj pas 29 Qershorit që merret me tendera dhe pisllëqe të tjera do shkoje para drejtësisë. Ju premtoj që do shkojë para drejtësisë. Unë nuk jam deputet që shkoj pas tenderave dhe pas thasëve të miellit në shpinë. Unë jam deputet i fjalës së lirë, jam deputet që kur dua për interesat e zonës e të njerëzve e turbulloj parlamentin. Kam dhënë prova për këtë. Kushdo t’i referohet vetëdijes së këtyre 12 viteve”.
Nikollë Lesi kandidon në qarkun e Lezhës nën siglën e LDK-së, partine qe drejton qe prej krijimit te saj./tvklan.al
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka qenë në Himarë ku ka zhvilluar disa takime me të rinjtë e qytetit bregdetar.
Gjatë fjalë së tij Bogdani u ndal në reformat e qeverisë mbi punësimin dhe arsimin si dhe theksoi ndryshimin që po përjeton Himara, i cili është shumë më i prekshëm, por kjo evidentohet që në rrugën që të çon për në qytetin bregdetar.
Gert Bogdani: “Një nga bukuritë më të mëdha të Shqipërisë, një nga perlat e jugut të Shqipërisë ishte për shumë vite e lënë kaq pas dore dhe në këto katër vitet e fundit unë besoj se ndryshimi është i prekshëm dhe nuk ka nevojë t’jua them unë. Ju e shikoni çdo ditë vetë. Ndryshimi është kaq i prekshëm dhe kaq i shpejtë sa rrallë herë ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri dhe kjo është falë kësaj qeverie dhe falë vizionit të Partisë Demokratike”./tvklan.al
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, zhvilloi takime me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike në qytetin e Bulqizës.
Duke u ndalur ne programin e koalicionit për ndryshim Milo u tha te pranishmeve se e majta do te bashkoje politiken me njeriun dhe problemet e tij.
Paskal Milo: “Ne do të fitojmë së bashku, ne do ta ndërtojmë shtetin ligjor, shtetin demokratik së bashku…”./tvklan.al