Lajme Arkiva 2003
Reshjet e shumta që ranë gjatë natës deri në mëngjesin e sotëm kanë nxjerrë nga shtrati i zakonshëm lumin Mat dhe kanë dhënë sinjalet e para të situatës emergjente nga mbytjet me afrimin e stinës së dimrit.
Tre shtëpi janë mbuluar nga uji në fshatin Gurëz të Laçit. Më shumë se 5 hektarë tokë janë përmbytur dhe 4 familje të tjera nga fshati Tale po evakuohen nga brigada e ndërhyrjes së shpejtë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcat speciale të Ministrisë së Rendit.
Ndërkohë helikopterët e forcave të NATO-s kanë mundur të shpëtojnë Nikolë Tenin si edhe një kolegun e tij roje te ekskavatorëve të tij në lumin mat në momentin para mbytjes. Një tjetër roje Aleksandër Gjonaj babai i tre fëmijëve humbi për disa orë rresh dhe vetëm para pak momentesh u gjet i gjallë. Ndërkohë policia dhe helikopterët e NATO-s vazhdojnë operacionin për ndihmën e popullsisë së zonës.
“Brigada erdhi shpejtë që në orën 3:00 të mëngjesit është vënë në gjendje gatishmërie dhe po zhvillon operacion në rajonin e Shkodrës, dhe këtu në rajonin ku ndodhemi të lumit Mat me batalionin e këmbësorisë së Laçit. Ndërkohë me mua sot në operacion ishte dhe Major Tenishi. Ishte një gjë shumë e bukur, sepse për njeriun e mbetur në lum ideja e majorit ishte të thërrisnim një helikopterë të NATO-s për ndihmë dhe për gjysmë ore u realizua operacioni”./tvklan.al