Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Të 13 kosovarët e plagosur në aksidentin tragjik të dy ditëve më parë në Fushë Arrëz të Pukës, janë jashtë rrezikut për jetën dhe shumë shpejt do të lënë Spitalin Ushtarak ku ndodhen aktualisht të shtruar. Këtë e ka pohuar nëndrejtori i Spitalit Ushtarak Hekuran Braho, i cili ka thënë se të shtruarit kanë fraktura apo shembje të lehta të cilat nuk përbëjnë ndonjë shqetësim serioz për shëndetin e tyre.
Hekuran Braho: “Gjendja e të shtruarve është e mirë, dy që kanë qenë në gjendje të rëndë reanimacion dhe ata janë stabilizuar dhe besoj se mirë do shkojnë. Të plagosurit e tjerë që janë shpërndarë në pavionin e Neurokirurgjisë dhe Traumatologjisë pavarësisht nga plagët e ndryshme që kanë janë jashtë rrezikut për jetën.”
Megjithëse gati panë vdekjen me sy, të plagosurit në këtë aksident thonë, se nuk do të ngurojnë të kthehen sërish për të vizituar Shqipërinë.
“Unë do të kthehem dhe ta vizitojë, vetëm e vetëm se më ka lënë përshtypje kontributi shumë i madh i shqiptarëve këtu. Shumë na kanë ndihmuar.”
“Ky aksident nuk ka ndodhur sipas mendimit tim, për shkak të rrugëve, po ka ndodh aksidentalisht.”
Të këtij mendimi janë edhe të afërmit e tyre.
“Problem është, por jemi të detyruar edhe pse është shumë rrugë pa mbrojtje, është një humnerë e vërtetë, por nga një dashuri e madhe për vendin, dmth. ata kanë dash ta shofin Shqipërinë dhe u shndërruan në një vdekje domethënë.”
“Këto ndodhin në çdo vend të botës mund të them, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë dhe askush s’ka dëshirë që të ndodhin, këto janë raste jo me qëllim.”
Megjithatë duket se aksidenti i ndodhur dy ditë më parë, do t’i bëjë turistët kosovarë të mendohen dy herë përpara se të vizitojnë Shqipërinë, pasi siguria e rrugëve lë shumë për të dëshiruar./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka