Një ditë pas zjarreve që shkrumbuan disa banesa dhe dhjetëra hektarë pyje në shumë zona të vendit, situata paraqitet e përmirësuar. Në Orikum, Divjakë dhe Lekaj të Kavajës vatrat janë shuar plotësisht, por flakët kanë vazhduar të djegin sipërfaqe të tëra në pyllin e Semanit.
Për të ndihmuar në shuarjen e vatrave aktive, krahas zjarrfikësve dhe policisë që prej mesditës kanë mbërritur nga shtetet fqinje Greqia dhe Italia dy avionë.
Fillimisht avionët kanë fluturuar mbi fshatin Darzezë, duke bërë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit në pak minuta. Ndërkohë që operacioni ka vazhduar gjatë orëve të pasdites në pyllin e Semanit.
Zjarret në një dite më parë kanë lënë pas një bilanc të rëndë dëmesh, ndërsa policia në jug të vendit po merr masa të rrepta kundër zjarrvënësve. Më shumë se 90 Ha pyje të djegura, 8 banesa të shkrumbuara tërësisht dhe disa të tjera të dëmtuara pjesërisht. Në fshatin Dukat dy familje i shtohen listës së të pastrehëve.
Qytetari 1: “Mori nusja në telefon dhe më tha që po digjet për një vend atje lart dhe pastaj më tha, që erdhi tek shtëpia dhe 1 minutë ka zgjatur djegia, ra çatia tha. Hiq lekët dhe dokumentet e mia i thash, nuk mundi të hiqte asgjë, fëmijët i shpëtoi.”
Qytetari 1: “Gjithçka rreth e rrotull, ja unë kam shtëpinë nga mbrapa janë djegur të gjitha pemët, vreshti. Shpëtova vetëm shtëpinë, fat i madh që shpëtoi shtëpia.”
E njëjta situatë është në Darzezë të Fierit, sipërfaqe të tëra me pyje janë shkrumbuar ndërkohë që zjarri nuk ka kursyer shtëpi e bagëti.
Qytetari 3: “Mua më është djegur dy viçat, lopa. Shtëpia nuk ka asnjë gjë në këmbë.”
Bilanc i rëndë edhe në Divjakë, dhjetëra hektarë me ullishte të djegura dhe banesa të shkatërruara. Autoritetet zjarrfikëse të akuzuara për vonesë në ndërhyrje, kanë mohuar pretendimet e banorëve.
Shkëlqim Kollgjeri: “Njoftimi zjarrit është marrë në 12:05 dhe makina ka mbërritur në 12:32.”
Një tjetër zjarr në fushën e plehrave në Elbasan ka mobilizuar për gjatë gjithë natës forcat zjarrfikëse të këtij qyteti. Tymrat dhe gazrat helmues kanë mbuluar qytetin për gjatë gjithë kohës, ndërkohë që sipas policisë bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme./tvklan.al