Pronari i dyqanit hoqi DVR-të e kamerave pas ngjarjes
Ky është momenti kur 30-vjeçari, Arbër Hoxha largohet së bashku me mikun e tij Xhejms Palodhi pas sulmit me armë në dyqanin e pjesëve për makina në Xhafzotaj të Shijakut ku mbeti i plagosur një 36-vjeçar.
Tv Klan ka siguruar këtë foto nga pamjet e kamerave të biznesit, të cilat mësohet se kanë regjistruar deri në momentin kur ka ndodhur ngjarja pasi më vonë u është hequr DVR-ja nga pronari i dyqanit, Albano Domi.
Ky i fundit tashmë i arrestuar, ka kryer këtë veprim pasi gjatë përplasjes me Arbër Hoxhën dhe Xhejms Palodhin është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë.
Megjithatë pavarësisht kësaj manovre të kryer nga Domi, Policia e Durrësit mundi të zbardhë dinamikën e ngjarjes, për të cilën në kërkim janë shpallur Arbër Hoxha dhe Xhejms Palodhi.
Sipas burimeve këta të fundit kanë ardhur nga Tirana me makinën tip “Ford”, e më pas janë larguar në drejtim të zonës së njohur si katër rrugët e Shijakut, ku kanë humbur dhe gjurmët.
Nga hetimet shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë një zënkë për motive të dobëta mes Palodhit dhe Albano Domit.
Tv Klan