Një përplasje e rëndë mes disa automjeteve ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në zonën e Porcelanit në Tiranë, më saktësisht në rrugën “Xhanfize Keko”. Siç ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, i cili raportoi nga vendi i ngjarjes, në total janë përfshirë katër mjete.
Dy prej makinave kanë përfunduar me dëmtime të mëdha në dy trotuaret e rrugës. Siç mund t’i shihni në pamje, bëhet fjalë për një makinë “Opel” dhe një makinë “Audi”.
Dy mjetet e tjera, një “Caddy” dhe një “Golf” kanë marrë dëmtime më të lehta materiale. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe shkak i aksidentit dyshohet paraprakisht lëvizja e gabuar e një prej makinave.
Gazetari Bajraktaraj ka mësuar se makina tip “Volkswagen Caddy” ka dalë nga një lavazh dhe i ka prerë rrugën makinës “Audi”. Shoferi i kësaj të fundit ka tentuar të devijojë përplasjen dhe është aksidentuar me dy makinat e tjera që i kishte më drejtim të kundërt, “Opelin” dhe një “Golf”. Si pasojë e përplasjes dy makinat, “Audi” dhe “Opel” kanë përfunduar në dy trotuaret e rrugës me dëmtime të mëdha.
Siç duket edhe nga pamjet shërbimet e policisë kanë bërë largimin me karrotrec të mjeteve.

Gazetari Bajraktaraj mësoi se fatmirësisht nuk flitet nga ana e Policisë Rrugore për dëmtime në njerëz, por ka pasur dëmtime të lehta të shoferëve dhe disa pasagjerëve.
Policia po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e kësaj ngjarje, e cila është e rëndë në fakt.

Bëhet fjalë për një zonë të populluar me biznese, institucione dhe rezidenca banimi. Prandaj shpesh të dyja trotuaret janë të mbushura me qytetarë dhe duke patur parasysh shkallën e përplasjes dhe lëvizjen e mjeteve drejt trotuareve pasojat mund të kishin qenë fatale.
Për shkak të dëmtimeve, të shpërndara në të gjitha anët e rrugëve, në zonë është bllokuar për disa minuta qarkullimi i mjeteve duke shkaktuar trafik. Megjithatë situata tani është stabilizuar./tvklan.al