1300 nxënës do të zhvillojnë mësim në ambiente të reja të rikostruktuara të shkollës 9-vjeçare Emin Duraku. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se me përfundimin e kësaj shkolle fillon një histori të re për komunitetin e Njësisë 5.

Shkolla e re “Emin Duraku” ka të përfshirë laboratorë të Kimisë, Biologjisë, Fizikës, TIK, Artit & Muzikës, bibliotekë, sallë multifunksionale, dhomë mjeku, psikologu dhe dentist, palestër të brendshme dhe fushë të jashtme sportive, parashkollor etj. Njëkohësisht, me instalimin e ashensorit dhe rampave, shkolla garanton aksesueshmëri të lartë për personat me aftësi të kufizuara.

“Sot hapim një faqe të re për çunat dhe gocat e mrekullueshëm të zonës së ish Bllokut sepse kjo është një shkollë m’u në zemër të Njësisë 5. Shkolla mbaron për një javë, por ne do t’i shfrytëzojmë pushimet për të bërë edhe një ndërhyrje në pjesën e jashtme, që të sigurohemi që fëmijët nuk dalin menjëherë në rrugë, duke future edhe në këtë shkollë konceptin e një brezi sigurie për fëmijët, siç kemi bërë te shkolla “Gustav Majer”.

Ndërkohë në kryeqytet pritet të vihet në zbatim një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja.

“Kjo është shkolla jonë e 42-të në total, por e 7-ta që bëjmë me BE dhe UNDP. “Xhezmi Dielli” ka mbaruar, “Myslym Keta” ka mbaruar, “Musine Kokalari” ka mbaruar dhe nga 42 do të shkojmë në 45 shkolla të reja në Tiranë. Pastaj, fillojmë me një paketë prej 10 shkollash të tjera, kryesisht në zonat e Astirit, Liqenit të Thatë, Saukut dhe Shkozës.”

Tv Klan