Bashkia e Tiranës ka hapur si muze për vizitorët shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli. Sipas kryebashkiakut Veliaj, muzeu kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli do të prezantojë një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit.
“Jam vërtet i emocionuar sepse është një rikthim në një hapësirë për qytetin. Më shumë se shtëpia e tij, kjo ka qenë një zyrë pritje e popullit, aspak tradicionale. Njerëzit te Dritëroi shihnin një institucion. Ne të gjithë kemi ecur mbi supet e gjigantëve, prandaj jemi këtu sot. Pa supet e tyre, ne do kishim ngelur akoma një vend i shtypur, i izoluar. Ndaj, do të doja shumë që ky vend të ishte një oaz refektimi.”
Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, vlerësoi nismën dhe këmbënguljen e kryebashkiakut Veliaj për ta realizuar këtë projekt.
“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur.”
Dritëro Agolli la pas një krijimtari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama dhe skenarë filmash. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Tv Klan