Kryeqytetit do t’i shtohen dy muze të rinj përgjatë vitit 2025. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë një dëgjese për buxhetin e vitit të ardhshëm në shkollën “Sami Frashëri”. Ai theksoi se në kuadër të vitit kur Tirana do jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, do të investohet në dy muze lokalë.

“Një muze tashmë e kemi blerë, është në pronë të bashkisë, janë Sarajet. Fillimisht, na u desh ta mbronim që të mos digjej, pastaj e bleu Bashkia e Tiranës për ta kthyer në një muze të qytetit, një shtëpi që është vërtet monument kulture. Shtëpia tjetër është garnizoni, ndërtesa kryesore te Garda. Edhe aty duam të kemi një muze të trashëgimisë tonë lokale. Vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës do të investojmë në dy muze lokalë. Ndërkohë, për teatrin, le të më padisin ditë e natë, ai do të bëhet më i fortë, më i bukur, më i madh për 100 vitet e tjera”, tha ai.

Veliaj ftoi të gjithë nxënësit e shkollave që të bëhen pjesë e aktiviteteve që do të mbahen vitin e ardhshëm, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Kryebashkiaku deklaroi se sot Tirana numëron rreth 11 milionë turistë, falë punës së bërë gjatë këtyre viteve, duke e shndërruar atë në një destinacion të preferuar nga të huajt për të kaluar pushimet e tyre.

“Kam një pyetje për të gjithë dyshuesit: Pse mendoni se vijnë gjithë këta turistë në Tiranë? Sot qendra është e rrethuar nga njerëz që po festojnë festat e fundivitit. Dikush nga jashtë nuk vjen në një vend të huaj të shikojë një rrethrrotullim të madh me 170 mijë makina, por vjen ku ka një hapësirë ku 10 mijë vetë janë duke festuar festat e fundvitit dhe ka aktivitete për fëmijët e për të rritur. Nëse nuk do e kishim as Muzeun e Gjetheve, as Muzeun Kadare, as Muzeun Dritëro Agolli, për çfarë do vinin në Tiranë? Brezi i ri nuk e mban mend fare se mendojnë që Tirana ka qenë gjithmonë kështu, por ne të tjerët po. Kur ti ke një koncert të Dua Lipës, të Rita Orës, të Ricky Martin, të Iglesias, të DJ të ndryshëm, vijnë dhe turistë nga vende të tjera. Sot Tirana ka pritur mbi 11 milionë turistë deri në Nëntor. Deri në fund të Dhjetorit o do i afrohemi o do i kalojmë 12 milionë, pra praktikisht mesatarisht 1 milionë turistë në muaj”, nënvizoi ai.

/tvklan.al