Një tjetër lëkundje sizmike e shkalles 5.1 ballë u regjistrua mesnatën e kaluar në rajonin e Peshkopisë, pas tërmetit të një nate më parë. Epiqendra ishte serish fshati Gjorice dhe komunat Shupenzë e Ostren, ku u dëmtuan një pjesë e madhe e banesave.
Të përfshirë nga paniku shumica e banoreve e u strehuan në çadrat e shpërndara nga ushtria, ndërsa një pjesë tjetër në automjete apo njerëz të afërm. Nata nuk ka qenë dhe aq e lehte për shkak edhe të temperaturave të uleta.
“Nata është shumë e ftohtë dhe është shumë e vështirë që të rrish natën. Na ka dhënë kryetari i komunës Shupenzë, zoti … na ka dhonë një çadër sepse nga tmerri s’mund të futemi që të banojmë aty mrena”.
“Në qoftë se e kanë nda mendjen me na ndihmu që të arrijmë me i fjalë sa më shpejt këtë ndihmë se ta shikosh dhe kohë vjeshte, fillojnë shirat, ftohti edhe kështu që ne rrezikohemi se kemi dhe fëmijë të vegjël”.
“Siç është bërë dhe për pjesën e sotme me furnizimin e shumë prej këtyre që nuk mund të arrijnë që të banojnë në shtëpitë e tyre dhe janë pajis me çadra nga këto si puna kësaj këtu”.
Paraditen e sotme ushtria ka shpërndare të tjera çadra për t’ju ardhur në ndihme banoreve në nevoje. Përveç kësaj ata kanë nisur ndërtimin e një kampingu në fshatin Gjorice ku mendohet të strehohen rreth 70 familje.
Bilanci i dëmeve të deritanishme është 361 shtëpi të pabanueshme, 140 prej të cilave në komunën Shupenzë, ndërkohë që banesa e dëmtuara numërohen 1 mijë e 479.
Tërmeti që goditi Peshkopinë shkaktoi dëme edhe në fshatin Zallë të Fushë Krujës. Muret e disa banesave u plasaritën, ndërkohë që një pjesë e banoreve e kaluan natën jashtë.
“Ne u çuam të frikësuar dolëm jashtë, atë natë kemi gdhi jashtë, të nesërmen kur u kthymë futemi mren pamë që shpia ishte çarë, kishin ra copa në tokë”.
Pas vlerësimit të dëmeve nga ekspertet, pritet të nisë dëmshpërblimi i familjeve të dëmtuara dhe shumë prej banoreve të nisin rindërtimin e shtëpive të tyre./tvklan.al
Gazetari: Neki Feta