Përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Peter Faith, në një intervistë për Klan ka lavdëruar institucionet e Kosovës për përkushtimin e treguar në implementimin e pakos së Marti Ahtisarit, por njëherësh ai ka konfirmuar pengesat që po paraqiten në këtë drejtim nga ana e komunitetit serb.
Peter Faith: “Dua të them se qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar në implementimin e dokumentit të Ahtisarit. Ne e shohim procesin e decentralizimit si mënyrën më të mirë për integrimin e komuniteteve pakicë në Kosovë”.
Peter Faith ka folur edhe për pengesat që po paraqiten mes BE-së dhe OKB-së. Sipas tij misioni që udhëheq është në pritje të një përgjigje të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, në mënyrë që UNMIK-u të shkojë drejt procesit të rikonfigurimit.
Aktualisht paraqiten pengesa të mëdha, sidomos në zbarkimin e misionit evropian, EULEX, në Kosovë për shkak të pengesave që po bën federata ruse në OKB.
Peter Faith: “Ne po presim përgjigjen e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, i cili duhet të na tregojë se si do të rikonfigurohet misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë”.
Përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Peter Faith, njëherësh udhëheq grupin drejtues për Kosovën ku bëjnë pjesë 22 shtete, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Shqipëria, megjithëse e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk merr pjesë në këtë grup, i cili ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbikëqyrjen e institucioneve kosovare në procesin e implementimit të pakos së Ahtisarit.
Peter Faith thotë se Shqipëria do të pranohet në këtë grup, por ajo nuk ka aplikuar fare.
Peter Faith: “Shqipëria ende nuk ka shfaqur dëshirën e saj për t’u bërë pjesë e këtij grupi. Ne do ta konsiderojmë me kërkesën e Shqipërisë atëherë kur ajo do të na vijë”.
Më tutje Peter Faith pritet të ketë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në Kosovë pas 15 Qershorit, kur hyn në fuqi kushtetuta e Kosovës./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki