Lëvizja qytetare “Zgjohu” nga Shkupi do të iniciojë peticion për mbledhjen e nënshkrimeve në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë për anulimin e vendimit për ndërtim të kishës ortodokse maqedonase në themelet e shtëpisë së Nënës Terezë në Shkup, paralajmëron anëtari i kësaj lëvizje, Artan Grubi.
Ai thotë se fillimisht si shoqatë do të përkrahin iniciativën për referendum kundër ndërtimit të objekteve fetare në sheshin e Shkupit.
Artan Grubi: “Zgjohu mbështet nismën për referendum kundër ndërtimit të objekteve fetare në sheshin e Shkupit me qëllim që të mbrojë me qëllim të vazhdimit të fushatës së saj në mbrojtje të truallit shqiptar, vendit të lindjes së nobelistes shqiptare, Nënë Terezë, dhe besojmë që suksesi i këtij referendumi do ta ruajë trashëgiminë kulturore shqiptare në qendrën e Shkupit dhe do t’i japë një shkelm të fortë tendencave qeveritare dhe kishës ortodokse për përvetësimin dhe asgjësimin e figurës së Nënës Terezë. Në qoftë se edhe ky referendum dështon, që pak dyshojmë, atëherë “Zgjohu” do t’i drejtohet dhe Prishtinës dhe Tiranës për mbështetje në këtë fushatë për të mbrojtur figurën e Nënës Terezë në shtëpinë e lindjes së saj nga përvetësimi dhe asgjësimi”.
Dy organizata joqeveritare tashmë kanë filluar iniciativë për organizim të referendumit kundër ndërtimit të kishës dhe xhamisë në sheshin e Shkupit pas anketës së realizuar në bazë të së cilës 70% e qytetarëve janë prononcuar kundër ndërtimit të objekteve fetare në sheshin qendror të Shkupit.
Ideja për ndërtimin e kishës ortodokse maqedonase në sheshin qendror të Shkupit mbi themelet e shtëpisë së Nënës Terezë fillimisht ishte e qeverisë së Maqedonisë, mirëpo pas ngritjes së iniciativës para Gjykatës Kushtetuese kundër këtij vendimi nga ana e lëvizjes qytetare “Zgjohu” qeveria u tërhoq edhe vendin ku parashihet të ndërtohet kisha, ia dhuroi kishës ortodokse maqedonase./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu