Lëvizja Socialiste për Integrim do të themelohet si parti në datën 6 shtator ku do të shpallë edhe programin politik që do të ndjekë kjo parti. Sesioni i ri parlamentar do të ketë edhe grupimin e deputetëve të mbështetësve të Metës, por numri i saktë i tyre do të shihet në ditën e krijimit të partisë.
Petrit Vasili: “Lëvizja Socialiste për Integrim ka konfirmuar që ka një grup deputetësh. Ky numër garanton një përfaqësim politik të plotë të LSI-së dhe 6-a nuk është dita e fundit e deklarimit të deputetëve, ka një procedurë parlamentare e cila sanksionon fillimin e këtij procesi në datën 6 dhe është i shtrirë në kohë dhe ju do të keni mundësi që të verifikoni me saktësi dhe numrat se sa janë.”
Mandati i kryetarit të partisë nuk do të jetë më shumë se dy herë, garantimi i një anëtar-një votë, përfaqësimi i gjerë i grave e të rinjve, pranimi i mendimit ndryshe etj., do të përcaktohen edhe në statutin e partisë. /tvklan.al